Prodhimi i Peletit/Briketit nga Mbetjet Bujqësore në Kosovë

Apr 18, 2018


 


Duke parë mungesën e lëndës së parë drusore në Kosovë dhe rritjen e konsumit të peletit dhe briketit, EMPOWER Sektori Privat inicioi hulumtimin mbi mundësitë e përdorimit të mbetjeve bujqësore për prodhimin e peletit/briketit në Kosovë.

BEA Institut für Bioenergie analizoi 3 lloje të mbetjeve bujqësore: kashtën e grurit, mbetjet nga krasitjet e hardhisë së rrushit dhe mbetjet nga krasitjet e mjedrave. Analiza e mundësisë së përdorimit të këtyre mbetjeve bujqësore për prodhimin e peletit/briketit u bazua në disa kritere:

  • Sasinë e disponueshme të lëndës së parë
  • Disponueshmërinë gjatë vitit
  • Korrjet/krasitjet, grumbullimi dhe logjistika e mbledhjes, dhe
  • Parametrat e lëndës djegëse:
    • Përmbajtja e ujit
    • Vlera e kalorike
    • Përmbajta e hirit
    • Pika e shkrirjes së hirit
    • Përmbajtja e azotit
    • Potenciali korrodues (klori, sulfuri)
    • Kontaminimi i dëmshëm (p.sh. metalet e rënda).

Krasitjet e hardhive të rrushit

Për shkak të sasisë së madhe të hardhive të rrushit të mbjella në Kosovë, është hulumtuar potenciali i prodhimit të peletit apo briketit nga krasitjet e hardhisë së rrushit.

Në Kosovë 3,200 hektarë janë të mbjella me hardhi të rrushit. Sipas literaturës për çdo hektarë të mbjellë me hardhi të rrushit, kemi 7,5 t mbetje nga krasitjet e rrushit. Pra, në Kosovë gjenerohen afërsisht 24,000 ton/vjet mbetje nga krasitjet e hardhive të rrushit. Vetëm në rajonin e Rahovecit janë të mbjella 1,700 hektarë hardhi të rrushit, pra, afërsisht 12,000 ton/vjet mbetje.

Sipas analizave kimike dhe fizike, krasitjet e hardhisë së rrushit kanë tipare të mira si lëndë djegëse. Me tharjen e krasitjeve të hardhisë, këto mbetje kanë karakteristika të djegies të përafërta me drurin.

Krasitjet e hardhisë së rrushit përdoren në Itali dhe Spanjë për prodhimin e peletit. Në Kosovë kompania "Termoinverz", nga Krusha, në vitin 2017 prodhoi sasi të vogla të briketit nga mbetjet e hardhisë së rrushit.

    

Krasitjet e mjedrës

Varësisht nga llojet e mbjella të mjedrës, sasia e mbetjeve nga krasitja ndryshon. Për shembull, variacionet “Polka” dhe “Mapena”, pas përfundimit të sezonës krasiten plotësisht, ndërsa “Willamette” krasitet pjesërisht.

Sasia totale e mbetjeve nga krasitjet e mjedrës në Kosovë ende nuk dihet. Megjithatë, dihet që këto mbetje zakonisht digjen në fusha duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore.

Sa i përket analizave kimike dhe fizike të mbetjeve të llojeve të ndryshme të krasitjeve të mjedrës, shohim që ka potencial për përdorim si lëndë djegëse, megjithatë duhet pasur kujdes gjatë djegies për shkak të sasisë së lartë të elementeve kimike të dëmshme si azotit dhe metaleve të rënda.

Në botë ende nuk njihet ndonjë rast i përdorimit të mbetjeve të mjedrës për prodhimin e peletit.

              

Kashta e grurit

Nga gjithsej 180,000 hektarë të mbjella me drithëra në Kosovë, gjysma janë të mbjella me grurë. Vetëm 35,000 hektarë e të mbjellave me grurë janë të mbjella në toka prej më shumë se 10 hektarë, pra vetëm mbetjet e këtyre tokave mund të kenë potencial për mbledhje.

Në bazë të llogaritjeve të studimit, potenciali maksimal i mbetjeve të grurit në Kosovë është afërsisht 20,000 t. Bazuar në këtë, kemi një sasi të ulët të mbetjeve të kashtës në Kosovë. Duke marrë parasysh faktin që parcelat e grurit në Kosovë janë me sipërfaqe relativisht të vogël dhe të shpërndara në të gjithë vendin dhe duki i shtuar kësaj peshën e lehtë të kashtës, transporti dhe logjistika e mbledhjes është problematike.

Sipas analizave kimike dhe fizike, kashta e grurit mund të përdoret vetëm për djegie në sisteme industriale të djegies e jo për djegie në amvisëri.

               

Për të lexuar raportin e plotë klikoni në lidhjen në vazhdim: https://goo.gl/9iekgc

Foto © StoneCastle Share on Facebook